Iniciativa Studentore për Novacion 68, mbajti një aksion simbolik ndaj mungesës së hapësirave të dedikuara për studentët për aktivitete kulturore dhe artistike, si dhe ndaj neglizhencës së menaxhmentit të Qendrës së Studentëve.
Bujar Hoxha përfaqësues i kësaj iniciative ka thënë se salla ku duhej të organizoheshin debate e aktivitete janë të mbyllura për ta.
Studentët siç tha ai po përballen me mungesë të hapësirave për të zhvilluar idetë dhe aktivitete kulturore.
Hoxha tha se menaxhmenti po tregohet neglizhues karshi kërkesave të studentëve, për t’i lejuar ata që të shfrytëzojnë hapësirat e Qendrës studentore.
Ndërsa drejtori i Qendrës Studentore, Ekrem Rudari tha se raportet me organizatat legjitime studentore i ka shumë të mira, e kërkesat nga organizata që nuk janë pjesë e QS-së nuk i sheh të arsyeshme.
Ai po ashtu tha se studentet i shfrytëzojnë të gjitha hapësirat që janë të dedikuara për studentët. /Telegrafi/