Kryesia e Kuvendit të Kosovës, pas takimit të anëtarëve të saj, ka proceduar për mendim në Qeveri Projektligjin për shfuqzimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Glauk Konjufca ka thënë se kryesia ka marrë vendim që nisma për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, t’i shkojë për shqyrtim Qeverisë së Kosovës.
“Pra kemi një avancim të kësaj nisme. Mendoj që njëri nga anëtarët dalloi nga vendimmarrja e për këtë duhet ta pyesni Xhavit Halitin. Ka shkuar siç është kërkuar kjo nisme. Topi tani është në dorën e Qeverisë se çka mendon për shfuqizimin”, ka theksuar Konjufca.
Ndryshe, kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, e kishte lëshuar mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.
Ai në një prononcim për media ka thënë se në momentin kur ka ardhur në shqyrtim si pikë e rendit të ditës, iniciative e deputetëve për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, ai është larguar nga takimi.
“LDK-ja është kundër kësaj iniciative. Ne sot lëshuam mbledhjen dhe presim të shohim se si do të procedojë me këtë çështje shumica parlamentare”, ka shtuar Hoti. /Telegrafi/