Site icon Telegrafi

Iniciativa CorrWatch: Ministria e Mbrojtjes ka shkelur ligjin e prokurimit për furnizimin e ushtarëve me ushqim

Iniciativa CorrWatch ka shprehur shqetësimin e thellë për krijimin e gjendjes emergjente nga Ministria e Mbrojtjes, lidhur me aktivitetin e prokurimit për “Furnizim me Ushqim për Nevojat e FSK-së.”

Sipas njoftimit të CorrWatch, Ministria e Mbrojtjes ka anuluar dy herë prokurimin e shërbimeve me ushqim dhe në vend të kësaj, ka lidhur një kontratë të negociuar duke “u thirrur në emergjenca ekstreme.”

“Që nga shkurti i vitit 2024 kur për herën e dytë është anuluar AP “Shërbimet me ushqim.. për nevoja të FSK-së”, MM nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të iniciuar procedurë të hapur. Pas kësaj, me datë 03 prill 2024, MM ka lidhur kontratë të negociuar e cila ka skaduar me 30 shtator 2024. MM, me datë 19 shtator 2024 ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës së re në procedurë të negociuar, duke u thirrur në emergjenca ekstreme, me vlerën e kontraktuar 2,149,000.00 Euro”, thuhet në njoftim.

CorrWatch vëren se kjo emergjencë i atribuohet “mosveprimeve dhe neglizhencës së MM” dhe akuzon ministrinë për shkelje të nenit 35 të Ligjit për Prokurimin Publik.

“Shkeljet e tjera përfshijnë ftesat në negociata për vetëm tre operatorë ekonomikë,” duke reduktuar konkurrencën dhe duke shpërblyer ata që nuk plotësuan kërkesat.

Në përfundim, CorrWatch kërkon që institucionet e përfshira të reflektojnë mbi këto procedura të kundërligjshme dhe të përmbushin obligimet ligjore për të siguruar transparencën dhe drejtësinë në proceset e prokurimit. /Telegrafi/

Exit mobile version