Site icon Telegrafi

Influencuesja shpjegoi pse e la legjendarin Kaka: Ai ishte shumë i përsosur për mua

Në një intervistë të fundit, influencuesja braziliane Caroline Celico ka shpjeguar se pse e la futbollistin legjendar Kaka dhe arsyen që ajo dha i la shumë në dyshim.

Nëna e dy fëmijëve të Kakas tha se futbollisti i njohur ishte shumë perfekt për të dhe se kjo ishte arsyeja kryesore e divorcit pas dhjetë vitesh martesë.

Ky çift i martuar që u divorcua në vitin 2015, ngriti shumë pluhur në publik dhe Celico vetëm tani ka folur për arsyet e një lëvizjeje të tillë.

Kaka & Caroline Celico

“Kaka nuk më tradhtoi kurrë, ai gjithmonë më trajtoi mirë, më dha një familje të mrekullueshme, por nuk isha e lumtur. Diçka mungonte. Problemi është se ai ishte shumë i përsosur për mua”, citojnë mediet braziliane të ketë thënë Celico.

Kështu ajo hodhi poshtë historitë për pabesinë e Kakas, për të cilën mediet shkruan se ishte shkaku i divorcit.

Fjalët e ish-bashkëshortes së Kakas shkaktuan një ortek komentesh dhe opinionesh kontradiktore në rrjetet sociale. Ndërsa disa shprehën mbështetje dhe mirëkuptim për “telashin” e influencueses braziliane, të tjerë kritikuan arsyet e saj për përfundimin e martesës me një burrë që, sipas saj, ishte “shumë i përsosur”. /Telegrafi/

Exit mobile version