Telegrafi

Inflacioni në rënie, shqetësimi kryesor i Kinës

Norma e inflacionit në Kinë gjatë muajit Nëntor ka vazhduar në rënie, duke iu shtuar shqetësimeve për ftohje të aktivitetit të ekonomisë së dytë më të madhe në Botë.

Indeksi i çmimeve të konsumit është rritur 1.4 për qind, krahasuar me një vit më parë, niveli më i ulët që prej nëntorit 2009. Nga ana tjetër analistët e Reuters parashikojnë një rritje prej 1.6 për qind. Ndërsa në terma mujorë çmimet kanë pësuar një rënie prej 0.2 për qind, shifër kjo që mbetet poshtë pritshmërive.

Analistët shprehen se shifrat konfirmojnë atë që të gjithë prisnin, një trajektore ngadalësimi të ekonomisë kineze. Disa vjet më parë të gjithë flisnin se Kina duhej të ribalanconte ekonominë e saj dhe ky është pikërisht procesi aktual.

“Duhet një ulje në termat e rritjes e shoqëruar me një rritje të cilësisë së kësaj rritje, dhe kjo që po ndodh nuk është aspak shqetësuese”- shprehet një prej analistëve. Një rënie e inflacionit në minimumin 5-vjecar, mund ti shtohet frikës së deflacionit, por gjithsesi këto shqetësime mbeten të ekzagjëruara.

Inflacioni po drejtohet nga rënia e çmimit të mallrave në nivel global. Ndërkohë parashikimet për të ardhmen flasin për një ndryshim të trendit të këtyre çmimeve, duke i projektuar në rritje vitin e ardhshëm. Indeksi i çmimeve të prodhimit në Kinë vazhdoi në ulje për muajin e 33 të radhazi, poshtë prej 2.7 për qind në terma vjetorë.

Një shifër e tillë tejkalon edhe parashikimet, të cilat flisnin për një rënie me 2.4 për qind. Rënia e çmimeve të mallrave në industri pritet të fusë në një spirale edhe më negative rritjen vjetore në sektor. Ndërkohë shifrat për nivelin e eksporteve edhe pse flasin për një rritje me 4.7 për qind krahasuar me një vit më parë, tregojnë një rënie me 11.7 për qind krahasuar me muajin tetor të këtij viti. /Telegrafi/