Site icon Telegrafi

Inflacioni në Maqedoni deri në fund të vitit parashihet të arrijë 11.6%

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi sot deklaroi se parashihet që inflacioni deri në fund të vitit të jetë 11,6 për qind.

Ai informoi se Qeveria dje ka biseduar që të intervenojë me qëllim që ta ndërpresë rritjen e çmimeve, ndërsa një nga masat e mundshme është që të gjitha kapacitetet prodhuese, veçanërisht nga industria ushqimore, të hyjnë në tregun e rregulluar me çmim më të ulët të energjisë elektrike.

Bytyqi përkujtoi se në shtator inflacioni ishte rreth 18,6 për qind dhe paralajmëroi analizë të shkaqeve, gjegjësisht nëse aji është plotësisht inflacion i cili është bërë vetëm nga një segment ose varet nga importi.

“Ai nuk është motivuar vetëm nga produktet ushqimore dhe rritja e çmimeve, por edhe nga variabla të tjerë. Mesatarja që parashikojmë deri në fund të vitit është se inflacioni do të jetë rreth 11,6 për qind. Dje në Qeveri diskutuam për disa masa ndoshta jokonvencionale apo jopraktike dhe kështu mund ta thyejmë përfundimisht këtë zinxhir të rritjes së çmimeve përmes ndërhyrjeve. Një nga masat që pritet të japim është që të gjitha objektet prodhuese, veçanërisht në sektorin ushqimor, të hyjnë në tregun e rregulluar me çmim më të ulët të energjisë elektrike, në mënyrë që energjia elektrike të mos ndikojë në rritje të mëtejshme”, deklaroi Bytyqi, gjatë vizitës së sotme në Manastir.

Është e ditur, tha zëvendëskryeministri Bytyqi, MBPEU përmes fondit ndërhyrës po tenton të bëjë gjithashtu ndërhyrje te produktet bujqësore të cilat nuk do të duhej më tutje të rriten si lëndë themelore në prodhimtarinë e ushqimit.

Exit mobile version