Sipas një studimi, konsumatorët në Gjermani e perceptojnë inflacionin tre herë më të lartë se sa përcaktohet zyrtarisht. Pse është kështu?
Sipas një studimi nga kompania e sigurimeve Allianz Trade, norma e inflacionit e perceptuar nga njerëzit në Gjermani ishte 18 për qind në maj – pothuajse tre herë më e lartë se 6.1 për qind e shpallur zyrtarisht.
Në përgjithësi, njerëzit priren ta ndjejnë inflacionin në jetën e tyre të përditshme më të lartë se vlera e matur, sipas analizës, të cilën e raporton Deutsche Welle.
Por, dinamika aktuale e inflacionit e ka rritur edhe më shumë këtë diferencë.
“Një hendek i madh midis inflacionit të perceptuar dhe atij aktual ekziston veçanërisht në Gjermani”, thotë Jasmin Groschl nga Allianz Trade. Në eurozonë në tërësi, këto dy vlera ndryshojnë me rreth nëntë për qind dhe në Gjermani me rreth njëmbëdhjetë. “Kështu që diferenca luan një rol të rëndësishëm për ekonominë dhe sipërmarrësit, si dhe për politikën e normave të interesit”, thotë Groschl.
Ekspertët hetuan edhe arsyet e një ndryshimi kaq të madh, që ka të bëjë me përbërjen e shportës së konsumatorit dhe sjelljen aktuale të konsumatorëve.
Rrjedhimisht, konsumatorët i kushtojnë më shumë vëmendje ndryshimeve të çmimeve të produkteve që blejnë shpesh, si ushqimet dhe pijet, karburantet apo nevoja të tjera për jetën e përditshme. “Nëse ato çmime në dyqane rriten mbi mesataren, njerëzit priren të ndiejnë se inflacioni është shumë më i lartë”, shpjegojnë ekspertët.
Në maj, çmimet e ushqimeve në Gjermani u rritën me 14,9 për qind krahasuar me një vit më parë. Këto çmime tani kanë ndikimin më të madh në rritjen e përgjithshme të çmimeve, sipas Byrosë Federale të Statistikave.
Megjithatë, aspektet psikologjike, dallimet demografike dhe rajonale, si dhe sjellja individuale e konsumatorit mund t’i bëjnë konsumatorët të ndjejnë rritje të çmimeve ndryshe nga vlerat e matura zyrtarisht.
Siç vërejnë ekspertët e Allianz Trade, në perceptimin e tyre, njerëzit fokusohen në rritjen e çmimeve që janë veçanërisht të rëndësishme për ta. Në të kundërt, çmimet e qëndrueshme ose në rënie të produkteve dhe shërbimeve të tjera zakonisht nuk vihen re. Kjo krijon një pamje të shtrembëruar dhe një mospërputhje të madhe midis inflacionit të perceptuar dhe atij aktual.
Për më tepër, normat e inflacionit mund të ndryshojnë sipas rajonit ose qytetit. Por matjet zyrtare bazohen në mesataret kombëtare ose rajonale, të cilat mund të mos pasqyrojnë me saktësi situatën në terren, theksojnë autorët e studimit.
Normat zyrtare të inflacionit shpesh ndryshojnë ndjeshëm brenda Bashkimit Evropian. Në maj, ato ndryshonin nga 2.8 për qind në Greqi në 21.5 për qind në Hungari. Në Austrinë fqinje, inflacioni ishte 8.8 për qind, më i lartë se në Gjermani (6.1%) dhe Zvicër (2.2%).
Në Gjermani, të gjithë ata faktorë që ndikojnë në normën e inflacionit janë të dukshëm: varësia e lartë nga importet nga Rusia shkaktoi një rritje të papritur të çmimit të produkteve të energjisë. Qeveria federale u përgjigj duke kufizuar çmimin e energjisë elektrike dhe gazit. Në eurozonë në tërësi, euro e dobët rriti inflacionin, pasi mallrat e tregtuara në dollarë, si nafta dhe gazi, u bënë më të shtrenjta. /Telegrafi/