Inflacioni në Eurozonë është rritur sipër projeksioneve gjatë muajit maj, prej kostove më të mëdha të energjisë. Kjo sjell një lehtësim te politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane (BQE), pas trazirave në tregje që kanë kërcënuar planin për të përfunduar programin e stimujve monetarë.
Indeksi i çmimeve të konsumit në 19 vendet që ndajnë euron, u rrit në 1.9 për qind nga 1.2 për qind që ishte në prill, raporton zyra e Statistikave e Bashkimit Europian. Niveli ishte sipër vlerësimit të analistëve prej 1.6 për qind, ndërkohë që rritja e çmimit të naftës u transmetua shpejtë te konsumatorët.
Duke hequr çmimet e energjisë dhe ushqimit të papërpunuar, inflacioni rezultoi në 1.3 për qind, nga 1.1 për qind që ishte në prill. Treguesi tjetër që heq edhe çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit, u rrit në 1.1 për qind në maj, nga 0.7 për qind që ishte një muaj më parë.
Mandati i Bankës Qendrore Europiane është që të mbajë inflacionin në pranë 2 për qind, një detyrë që ka qenë e vështirë për institucionin, pavarësisht performancës më të fortë të ekonomisë në 1 dekadë.
Institucioni në Frankfurt është përpjekur prej muajsh që të përgatisë tregjet për përfundimin e programit të stimujve prej 2.55 trilionë euro. Megjithatë, rreziqet politike në Itali, rrezikojnë rikthimin e trazirave në tregje dhe devijimin e planit të bankës. /Telegrafi/