Telegrafi

Inflacioni e rrokë Eurozonën

Norma e inflacionit në të 19 vendet e Eurozonës, rezulton më e lartë se projeksionet në të dhënat që i referohen muajit maj. Sipas Eurostat, çmimet e konsumit gjatë muajit që sapo lamë pas, janë rritur në terma vjetorë me një normë prej 0.3 për qind.

Ndërkohë, parashikimet flisnin për një normë inflacioni në 0.2 për qind. Një e dhënë e tillë i jep edhe më shumë mbështetje Bankës Qendrore Europiane dhe planit të saj të lehtësimit sasior në shkallë të gjerë që ka për synim pikërisht të luftojë inflacionin e ulët.

Tashmë që Eurozona i është shmangur përfundimisht situatës deflacioniste, objektivi për të arritur pranë normës së 2 për qind duket edhe më i afërt. Nga ana tjetër, ritmi i rritjes së çmimeve vë në pikëpyetje dhe kohëzgjatjen e planit Draghi, që paraprakisht projektohet të zgjasë deri në muajin Shtator të vitit të ardhshëm. Në rritjen e normës së inflacionit sipas Eurostat kanë ndikuar së tepërmi çmimet e ushqimeve të papërpunuara si dhe shërbimet.

Duke përjashtuar luhatjen e çmimit të energjisë si dhe të ushqimeve të papërpunuara, norma bazë e inflacionit fiksohet pranë nivelit të 0.9 për qind gjatë muajit maj, në terma vjetorë. Pavarësisht këtyre të dhënave, shqetësues mbetet indeksi i çmimeve të prodhimit, që është edhe një ndër indikatorët më të besueshëm të normës së inflacionit. Ky indeks ka rënë me 2.2 për qind në terma vjetorë gjatë muajit prill. /Telegrafi/