Telegrafi

Infermierja shtatzënë që refuzoi vaksinën kundër COVID-19, vdes së bashku me foshnjën e palindur

Një familje në Alabama po mban zi pasi një infermiere shtatzënë, e cila nuk pranoi të vaksinohej, vdiq nga COVID-19 së bashku me fëmijën e saj të palindur.

Haley Mulkey Richardson, 32 vjeç, ishte një infermiere e regjistruar që punonte në njësinë e lindjes në Spitalin Ascension Sacred Heart në Pensacola, Florida.

Tre javë para vdekjes së saj, Richardson ishte infektuar me COVID -19, ka shumë të ngjarë në fund të korrikut ose në fillim të gushtit, tha një mik i saj, Jason Whatley.

Në atë kohë, ajo jetonte në shtëpi me burrin e saj, Jordanin dhe vajzën e vogël, Katie në Theodore. Është e paqartë nëse ajo u sëmurë gjatë punës në spital apo diku tjetër para se të merrte virusin, raporton dailymail.

Nëna e një fëmije më parë vendosi të mos e merrte vaksinën COVID-19 pasi ishte e frikësuar se do të pësonte reaksione alergjike pasi dëgjoi pretendime të paprovuara se vaksinimi mund të ndikojë në pjellorinë.

Whatley, i cili bashkëkrijoi një fushatë GoFundMe për Jordan dhe Katie, e përshkroi Richardson si “e lehtë për tu dashur.”

“Fryma e saj ndriçoi çdo dhomë ku ajo hyri, e qeshura e saj solli një festë në çdo moment dhe zemra e saj – zemra e saj ishte aq e pastër dhe aq e dashur, aq vetëmohuese sa kushdo që e ka takuar ndonjëherë, do të dëshironte sërish ta takonte”, tha ai.

Që nga fillimi i pandemisë, Alabama, një nga shtetet me normat më të këqija të vaksinimit në vend, ka humbur 12 mijë njerëz nga COVID-19, sipas të dhënave të mbledhura nga New York Times. /Telegrafi/