Kur flasim për ushqime që janë të rrezikshme për fëmijët dhe mund të shkaktojnë mbytje, shumë njerëz mendojnë fillimisht për rrushin, kokoshkat ose bonbonet e forta.
Megjithatë, sipas infermieres dhe nënës së tre fëmijëve, Nikki Jurcutz, një ushqim tjetër mund të jetë po ashtu i rrezikshëm për jetën e një fëmije.
Siç ka shpjeguar ajo në Instagram, ku poston rregullisht këshilla për prindërit, salsiçet e ‘hot-dogëve’ janë në listën e ushqimeve me rrezik të lartë për foshnjat dhe fëmijët për shkak të strukturës së tyre, të cilat mund t’i bllokojnë rrugët e frymëmarrjes dhe të shkaktojnë mbytje.
“Është një ushqim me rrezik të lartë mbytjeje, për të cilin nuk flitet sa duhet. Salsiçja ka formën perfekte dhe teksturën për të bllokuar rrugët e frymëmarrjes së një fëmije”, ka shpjeguar në video.
Po kështu, ajo u dha këshilla prindërve se si ta presin salsiçen nëse ende duan t’ia japin fëmijës së tyre, duke ulur sa më shumë rrezikun e mbytjes.
“Mos e prisni në rrathë kur ia shërbeni fëmijës suaj. Ato bllokojnë plotësisht rrugët e frymëmarrjes. Pritni në shkopinj të ngushtë, kështu që edhe nëse ngecin, ka ende vend për të marrë ajër”, ka theksuar infermierja. /Telegrafi/