Një video shokuese është duke qarkulluar në internet, në të cilën shihet se si një infermiere prangoset nga policia edhe pse ajo thjesht po bënte punën për të cilën është betuar se do ta kryej me nderë.
Infermierja Alex Wubbels nga Universiteti i Utah ka publikuar videon në internet, duke shpresuar se një incident i tillë i ngjashëm të mos përsëritet, transmeton Telegrafi.
Wubbels ish-skiatore olimpike, ishte duke punuar në spital, kur polici Jeff Payne nga Salt Lake kërkoi ta merr mostrën e gjakut të një pacienti.
Bëhej fjalë për një mashkull, shofer i një kamioni i cili ishte sjellë në spital pavetëdije pasi kishte pësuar aksident me një veturë tjerë i cili po ikte nga policia.
Dhe pasi që shoferi i kamionit nuk ishte i dyshuar dhe nuk ngarkohej me kurrfarë akuze, Payne nuk posedonte kurrfarë dokumenti që do ta autorizonte atë të marrë mostrën e gjakut nga pacienti që ishte në koma.
Në video Wubbels shihet se si në mënyrë të butë mundohet t’ia shpjegojë policit Payne rregullat e spitalit, derisa ai në një moment humb durimin dhe fillon ta kërcënojë.
Në videon 20 minutëshe, Ëubbels i telefon disa herë mbikëqyrësit të saj që t’ia shpjegojë policisë rregullat e spitalit, por Payne për asnjë moment nuk dëshironte të dëgjonte fjalën “jo”.
Në një moment Payne humb durimin dhe i thotë Wubbels se po e arreston.
“Ajo do të shkoj në burg”, dëgjohet Payne duke thënë, derisa një nëpunës i spitalit e pyet se pse.
“Po pengon hetimet”, është përgjigjur zyrtari policor.
Më pas Wubbels fillon të qaj derisa Payne e tërheq zvarrë jashtë dhe e shtynë për muri për ta prangosur.
“Ndal! Nuk kam bërë asgjë të keqe”, dëgjohet Wubbels duke thënë.
20 minuta më vonë ajo është liruar, kurse Payne asnjëherë nuk ka ngritur padi kundër saj për pengim të hetimeve.
Zëdhënësi i policisë së Salt Lake është munduar të arsyetoj veprimet e kolegut të tij, duke thënë se jo të gjithë policët i dinë rregullat e spitalit dhe se janë duke punuar në atë drejtim që të gjithë të informohen. /Telegrafi/