Janë 4,500 infermierë që janë larguar ose janë në proces ikje nga Shqipëria që prej fillimit të këtij viti.
Pas 18 vitesh pune, Silvana Belalla në muajin shkurt u shkarkua nga pozicioni i kryeinfermieres. Mendimi i parë që i erdhi në mendje ishte: “Direkt të iki nga QSUT për të gjetur veten në Gjermani”.
45-vjeçarja nisi të mësonte gjermanisht. Ka shumë arsye që e motivojnë për ta lënë vendin e saj. “Rroga 380 mijë lekë. Kam 2 fëmijë për të rritur, nuk e përballoj dot”, thotë infermierja, transmeton TCH.
Mësimi zhvillohet falas nga një kompani që shërben edhe si ndërmjetësuese për punësim të infermierëve në Gjermani. Një cikël studimi zgjat rreth 1 vit e gjysmë.
“Vijnë kompanitë gjermane këtu e bëjmë intervistën dhe më pas lidhim kontratën 2-vjeçare pune”, shprehet Silvana.
Aktualisht në qendër mësojnë gjermanisht 1,000 infermierë.
“Kam shoqe të miat kryeinfermiere, madje që duan të ikin”, tregon ajo.
45-vjeçarja është shumë e qartë në objektivin që i ka vënë vetes.
“Do gjej vetveten. Në Shqipëri u rrëzova, në Gjermani do të ngrihem”, thotë e vendosur Silvana.