Site icon Telegrafi

Nata e katër në grevë urie, flet infermieri Enlirat Duraku: Paguhemi me 18 euro ndërrim nate, zyrtarët e Postës 2500 euro pagën

Tash e katër ditë, sekretari i Sindikatës së Infermierëve, Enlirat Duraku, ka hyrë në grevë urie.

Ai thotë se nuk do të ndërpresë grevën deri në realizimin e kërkesave të tij.

“Nuk ka qenë e planifikuar të fillohet kaq herët mirëpo pas vendimit të bordit t Postës dhe Telekomit të Kosovës për rritje të pagave për zyrtarët e tyre nga 2500 euro ndërsa unë me infermierët e mi që nuk kem kohë të ngopemi bukë edhe të paguhemi me 18 euro ndërrim nate, kjo është e turpshme. Andaj edhe kam vendos që me datën 10 të fillojë grevën, deri më sot është dita e katërt”, thotë ai.

“Së bashku me Sindikatën e Infermierëve të Kosovës ne prej muajit tetor të vitit 2019 veç i kemi tregu këto kërkesa. Ato janë për rritje të pagesës për ndërrimet e natës për infermierë e që tani është 18 euro dhe është e turpshme, pagesa e orëve shtesë, pagesa e punës gjatë vikendeve dhe pagesa e rrezikshmërisë në punë”, shton ai.

Ai thotë se deri më tani askush nga SHSKUK nuk është interesuar për shëndetin e tij.

“Deri më sot jo. Nuk ka pasur asnjë interesim”, thotë Duraku për RTV Dukagjini.

Ai thotë se po vazhdon të punojë derisa ia lejon shëndeti.

“Sigurisht që në grevë urie për katër ditë rëndohet gjendja fizike dhe psikike”, thotë ai.

“Për momentin jam vetëm, është bashkëngjit edhe një mik i imi, një koleg i joni mirëpo për momentin ai nuk gjendet këtu. Për shkak të gjendjes nëpër të cilën po kalon vendi dhe për hir të transparencës unë do të jem prezent gjatë gjithë kohës në vendin e punës, në asnjë moment nuk do të ndalojë t’i kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e mia që i kam ndaj institucionit, pacientëve dhe qytetarëve derisa të ma pamundëson fuqia fizike dhe psikike”, shpjegon ai.

Ndërkohë Duraku shprehet i vendosur për të vazhduar grevën.

“Grevën e urisë do ta ndërpresë vetëm atëherë kur këto kërkesa të realizohen”, përfundoi ai.

Exit mobile version