Telegrafi

Infermierët suspendojnë grevën

Kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli, ka bërë të ditur se kanë vendosur që të suspendojnë grevën deri në një takim të afërt me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ai në një postim në Facebook ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar takim me drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqin dhe anesteziologun Lulzim Eminin, të cilët i falënderon për përkrahjen që iu dha grevistit tash e pesë ditë sekretarit, infermierit, Enlirat Durakut në lidhje me vendimin e tij për grevë urie.

“Duke marrë parasysh gjendjen e rënduar të spitaleve tona me COVID dhe nevojën për infermier punëtor siç është Enlirat Duraku, u pajtuam bashkërisht me kërkesën tonë të përbashkët për ta suspenduar grevën deri në takimin e afërt me ministrin e Shëndetësisë për arritjen e kërkesave legjitime dhe shumë kërkuese nga Sindikata e Infermierëve me muaj të tërë”, ka shkruar Havolli në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se takimi me Zemaj pritet të mbahet kësaj të mërkure dhe shpreson për arritjen e marrëveshjes për realizimin e kërkesave për rritje të pagesës së ndërrimeve të natës për infermier, orëve shtesë dhe punës gjatë vikendeve, si dhe për pagesë të rrezikshmërisë në punë. /Telegrafi/