Mamia 53-vjeçare nga Kaçaniku, Teuta Isufi-Dogani së bashku me koleget e saj, ka një vit që ecin më gjatë se pesë kilometra në ditë që t’i vizitojnë fëmijët deri në moshën trevjeçare dhe nënat e reja nëpër shtëpitë e tyre, në kuadër të projektit të vizitave shtëpiake mjekësore të nisur nga Ministria e Shëndetësisë.
Deri në afërsi të fshatit, ato dërgohen me transport nga shoferi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik, kurse pjesën tjetër pastaj ato ecin në këmbë nëpër rrugët e fshatrave, për shkak se shumica prej tyre, janë kryesisht në zona malore.
Qëllimi i këtyre vizitave sipas infermiereve, është që të kujdesen për shëndetin e fëmijëve dhe nënave të tyre. Mamia Teuta Isufi-Dogani, tha për Radion Evropa e Lirë, se brenda muajit kryejnë rreth 100 vizita në familje të ndryshme.
“Ne e kemi ditur që do të na presin këto sfida. E njohim edhe terrenin, se terreni është edhe kodrinor-malor. Një pjesë e rrugës u takon atyre për të na sjellë në fshat (me veturë), pjesën tjetër ne e kalojmë vetë, në këmbë. Ecim edhe më shumë se 5 kilometra. Nuk janë vetëm 5 kilometra, edhe më shumë. Është vështirë, nuk është edhe lehtë, ballafaqohemi me shumë vështirësi. Ndonjëherë është moti i lig, bie shi ose frynë shumë ose është edhe borë edhe ngrirë, por megjithatë, ia keni arritur qëllimit t’i kryejmë”, tha ajo.
Në kuadër të vizitave, mamia Teuta dhe infermierja Adriana Lika, vizituan një nënë dhe fëmijën e saj 3-muajsh në fshatin Gajre, që është disa kilometra larg Kaçanikut. Infermierja Adriana Lika tha se vizitat nëpër shtëpi, kanë rezultuar të suksesshme.
“Sot jemi në fshatin Gajre. Ishim për vizitë te familja Shahini. Nëna e foshnjës ishte shumë e kënaqur me vizitat tona edhe ishte e informuar mirë rreth gji-dhënies, rreth vaksinimit të foshnjës si dhe kontrollet te pediatri i kishte kryer me rregull. Për ne është një kënaqësi shumë e madhe kur i shohim rezultatet e vizitave tona”, tha infermierja Lika.
Ndërkaq, Afërdita Shahini, e cila para disa muajsh ka sjellë në jetë vajzën e saj, tha se vizitat nga infermieret i kanë ndihmuar shumë.
“E rëndësishme është shumë, normal se të ndihmon ajo edhe është shumë mirë kur vijnë edhe të vizitojnë edhe të këshillojnë. Për mua është mirë dhe mendoj që për të gjitha familjet ku ka nevojë të shkohet për të këshilluar për fëmijët dhe nënat, është shumë mirë”, tha Afërdita Shahini.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, thonë se gjatë vitit të kaluar janë kryer 15 mijë vizita nëpër shtëpi nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.
Albatrit Matoshi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, tha për Radion Evropa e Lirë se këto vizita shtëpiake mjekësore, aktualisht kryhet në 16 komuna të Kosovës. Projekti për vizitat shtëpiake mjekësore sipas Matoshit, kishte filluar për të ndihmuar fëmijët dhe nënat e reja.
“Në veçanti nënat e reja apo edhe nënat në vendet, në komunat më të varfra janë ekspozuar ndaj sëmundjeve të ndryshme, ndaj rritjes së fëmijës në mënyrë cilësore. Duke e parë suksesin që e ka pasur, është duke u përkrahur dhe duke u zgjeruar në tërë territorin e Kosovës”, tha Matoshi.
Vizitat shtëpiake mjekësore janë duke u realizuar nga Ministria e Shëndetësisë me përkrahje të Zyrës së UNICEF-it dhe me fondet e Qeverisë së Luksemburgut. /rel/