Infektologu Valbon Krasniqi ka folur për situatën në Kosovë sa i përket përgatitjeve për t’u përballë me coronavirusin.
Krasniqi në “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se nuk është më befasi nëse coronavirusi vjen edhe në Kosovë, pasi sipas tij, ai nuk mund të ndalohet pasi përhapet përmes ajrit.
“Gjasat janë shumë të lehta që edhe në Kosovë në një të ardhme shumë të afërt të kemi raste me coronavirus”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Infektologu ka thënë se e mira do të ishte që personat e prekur të identifikoheshin më herët për t’u izoluar më pas në mënyrë që të mos përhapet te njerëzit e tjerë.
Ai ka thënë se është mirë që të shmangen grumbullimet masive, siç ndodh në ndeshjet sportive.
Krasniqi thotë se familja e coronavirusëve që i përket edhe COVID-19, nuk i kanë të preferuara temperaturat e larta.
Infektologu thotë se nga Kina ka raportime që numri i të prekurve më këtë virus është në rënie e sipër si pasojë e vetëdijesimit të qytetarëve për mirëmbajtjen e higjienës personale.
Sa i përket moshave, ai thotë se gjasat i kanë të njëjta të gjithë personat për t’u prekur por shton se personat që gëzojnë shëndet të plotë dhe janë më të ri në moshë e kalojnë me një lehtësi më të madhe ndërsa moshat e treta janë të rrezikuara./Telegrafi/