Infektologu, Hamdi Ramadani, e ka cilësuar shqetësuese situatën e fundit me COVID-19 në Kosovë, pasi vetëm gjatë 24-orëshit të fundit janë regjistruar mbi 500 raste të infektuarish dhe dy persona kanë humbur jetën.
Ai i bëri thirrje institucioneve kompetente që t’i rikthejnë masat shtrënguese në vend, sepse siç tha, vaksinimi e imunizimi për momentin nuk mund të ndihmojë meqë është numër i vogël i tyre.
“Janë shifra kaq brengosëse. Numri i madh me tubime masive, me ahengje në restorante e klube nate, dasma e ceremoni, e kane bërë të mundshme këtë dhe ka qenë e pritshme kjo kur të hapet situata në një vend. Varianti COVID-19 është mjaft transmetues dhe e ka bërë të veten, si dhe pritet që edhe në ditët e ardhshme të na paraqiten edhe më shumë raste pasi situata me masa anti-epidemike është e hapur, s’kemi masa në kuptimin e kufizimeve”, tha ai në Klan Kosova.
Ramadani shtoi që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike duhet të dalë në mënyrë emergjente me qëndrime e vendime të prera se si duhet ndalur ky numër të infektuarish dhe që së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë të ndërmarrin masa të shpejta e të menjëhershme sepse sipas tij, situata mund të shkojë edhe më keq dhe të përshkallëzohet gjendja.
“Organet kompetente të dalin me masa konkrete gjatë 24-48 orëve të ardhshme. Të ketë masa shtrënguese, qoftë edhe me kufizim në orët e mbrëmjes sepse vaksinimi s’mund ta ndalë këtë hov të të infektuarve pasi numri i të vaksinuarve në vendin tonë është i vogël”.
“Është mirë të analizohet situata dhe ata persona që s’marrin vaksina të jenë të kufizuar e shtrënguar. Por e rëndësishme është që në dy javët e fundit të zvogëlohet ky trend i rritjes së numrit dhe masat anti-pandemike të kthehen e të bëhen rigoroze e të ashpra, se vetëm në këtë mënyrë mund të ndalet hovi”, përfundoi ai.