Dy shkolla në Malishevë janë mbyllur dhe do të mbajnë mësim online për shkak se një mësimdhënës ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Në njoftimin e bërë nga Komuna e Malishevës thuhet se mësimdhënësi ka mbajtur mësim në dy shkolla, transmeton Telegrafi.
“Sot në territorin e Komunës së Malishevës, një person është shëruar, i cili ka qenë i prekur me covid-19, ndërsa është regjistruar një rast i ri dhe si pasojë e kësaj dy shkolla detyrohen të kalojnë në mbajtjen e mësimit në planin C, që do të thotë se do mbahet mësimi online, pasi i rasti i ri, është mësimdhënëse në dy shkolla”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se “ të dhënat për personin e shëruar janë konfirmuar në komunikimin në mes të IKSHPK dhe Komunës së Malishevës, ndërsa rasti i ri është konfirmuar nga vet personi, të cilin IKSHPK e ka njoftuar përmes telefonit”.
“Rasti i ri është regjistruar në fshatin Damanek. Pas takimit të sotëm të Task-Forcës për arsim, në Komunën e Malishevës, është marrë vendim që shkolla në Damanek dhe shkolla e mesme profesionale në Kijevë, të kalojnë në planin C të mbajtjes së mësimit, deri në një vendim tjetër”.
Gjendja e përgjithshme me covid-19 në Komunën e Malishevës, është kjo: të prekur me covid-19 deri më sot, janë regjistruar 253 raste, prej tyre 223 janë shëruar, 24 kanë vdekur dhe aktiv janë 6 persona. /Telegrafi/