Site icon Telegrafi

Rexhep Selimi dhe Nasim Haradinaj infektohen me COVID-19 në qendrën e paraburgimit në Hagë

Dy ish-luftëtarë të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe Nasim Haradinaj, që po akuzohen nga Gjykata Speciale në Hagë, janë infektuar me coronavirus në qendrën e paraburgimit.

“Së paku dy prej ish-drejtuesve të UÇK-së kanë rezultuar pozitiv në testet e coronavirusit. Derisa pritet të analizohen edhe mostrat tjera për të parë nëse janë të prekur edhe personat e tjerë që po mbahen në qendrat e paraburgimit të Hagë”, njoftojnë burime të RTV Dukagjinit, përcjell Telegrafi.

Këto informacione i dha drejtuesi i “Debat Plus”, Ermal Panduri.

Ai shtoi se pikërisht këto infektime kanë ndikuar edhe te vizitat e familjarëve, të cilët nuk janë lejuar t’i takojnë ish luftëtarët e UÇK-së.

Panduri ka treguar më pas se bëhet fjalë pikërisht për Rexhep Selimin dhe Nasim Haradinajn, të cilët janë konfirmuar tashmë pozitiv me coronavirus, derisa priten rezultatet për të tjerët.

Në pritje të gjykimit në Hagë po mbahen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Sali Mustafa, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj./Telegrafi/

Exit mobile version