Site icon Telegrafi

Infantino sugjeron që Federata Gjermane e Futbollit duhet të ketë ‘zgjedhje të vërteta’ për presidentin e ri

Infantino (Foto: FIFA)

Federata Gjermane e Futbollit (DFB) duhet të zgjedhë presidentin e saj të ardhshëm në një mënyrë plotësisht demokratike dhe jo duke rënë dakord për një kandidat paraprakisht.

Kështu siç shkruajnë mediat e huaja, transmeton Telegrafi, ka thënë të premten presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino mes krizës së fundit të lidershipit të DFB.

“Sigurisht që ne vëzhgojmë atë që po ndodh në Gjermani dhe nuk jemi të lumtur për këtë”, u ka thënë Infantino gazetarëve pas një kongresi virtual të trupit drejtues të futbollit.

“Ndoshta do të kishte kuptim që të kishte një zgjedhje të vërtetë të presidentit. Ne flasim për demokracinë e vërtetë. Nëse përpiqesh të gjesh kompromise gjatë gjithë kohës mund të mos jetë shumë efektive”.

Presidenti i DFB zgjidhet normalisht pasi palët profesionale dhe amatore të federatës më të madhe të sportit bien dakord për një kandidat.

Presidenti i fundit, ish-presidenti i Freiburgut, Fritz Keller, dha dorëheqjen të hënën për një analogji naziste drejtuar nënkryetarit Rainer Koch si pjesë e një lufte disa mujore për pushtet.

Ai është shefi i tretë i DFB me radhë që nga viti 2015 që jep dorëheqjen.

“Unë e njoh Fritz Keller dhe e vlerësoj atë. Ai është një person i mirë, por ai bëri një gabim”, tha Infantino.

“Ne kemi nevojë për një vend të fortë në Gjermani, futboll të fortë në Gjermani dhe një president të fortë (DFB) në Gjermani, mbase edhe një grua”. /Telegrafi/

Exit mobile version