Site icon Telegrafi

Infantino i dërgon mesazh Koresë së Veriut në startin e “Katar 2022”

Gianni Infantino ka pranuar se Koreja e Veriut mund të organizojë Kampionatin Botëror në të ardhmen.

Presidenti i FIFA-s – i cili do të rizgjidhet për një mandat të tretë – zbuloi se çdo komb ka të drejtë të organizojë një event kaq të madh, duke shtuar se organizata e futbollit dëshiron të ndihmojë në bashkimin e botës.

Infantino mbajti një fjalim të zgjeruar përpara fillimit të Kupës së Botës të diskutueshme të Katarit, në të cilin ai u përgjigj ndaj kritikave të bëra ndaj FIFA-s për organizimin e turneut.

“FIFA është një organizatë globale futbolli”, deklaroi Infantino. “Ne jemi njerëz futbolli, jo politikanë dhe duam t’i bashkojmë njerëzit”.

“Çdo vend mund të presë një ngjarje. Nëse Koreja e Veriut dëshiron të organizojë diçka. Mund ta bëjnë. Unë në fakt shkova në Korenë e Veriut disa vite më parë për të pyetur koreano-veriorët nëse ata ishin gati të organizonin një pjesë të Kupës së Botës për femra me Korenë e Jugut”.

“Epo, nuk isha i suksesshëm, natyrisht, por do të shkoja edhe 100 herë të tjera nëse do të ndihmonte”.

“Vetëm angazhimi mund të sjellë ndryshim të vërtetë. Ne jemi një organizatë globale dhe duam të mbetemi një organizatë që bashkon botën”, ka shtuar më tej ai.

E renditur e 112-ta në botë, Koreja e Veriut nuk ka bërë një paraqitje në turneun më të madh të futbollit që nga Afrika e Jugut 2010. /Telegrafi/

Exit mobile version