Telegrafi

Ines Demiri takohet me Drejtorin e Lëvizjes për Sigurinë e Izraelit, flasin për zhvillimet e fundit

E ngarkuara me punë e Kosovës në Izrael, Ines Demiri është takuar me drejtorin e Lëvizjes për Sigurinë e Izraelit, Amir Avivi.

Demiri ka shkruar në Twitter se me Aviv ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e edukimit dhe zhvillimeve të fundit në Izrael.

“Ishte kënaqësi të takoj z. Amir Avivi Drejtor Ekzekutiv i Habithonistim. Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit mes institucioneve edukative të Kosovës dhe Izraelit të fokusuar në studimet e Lindjes së Mesme dhe punët e jashtme. Gjithashtu folëm edhe për zhvillimet e fundit në Izrael”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, konflikti mes Izraelit dhe autoriteteve të Palestinës, përkatësisht Hamasit që prej disa ditësh është përshkallëzuar, duke shkaktuar numër të lartë të viktimave.

Lidhur me këtë konflikt, Qeveria e Kosovës, rrjedhimisht nga Ministria e Punëve të Jashtme me anë të një reagimi ka thënë se Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet nga sulmet e Hamasit.

“Si çdo shtet, Izraeli ka të drejtën dhe obligimin për të mbrojtur popullin e tij kundër 2,000 raketave të qëlluara mbi civilët vetëm nga Hamasi, i cili po mban peng civilët palestinezë në luftën e tij. Ne vajtojmë të gjitha viktimat. Ne kërkojmë që të përmbahemi, të ndalojmë dhunën dhe të kërkojmë zgjidhje paqësore”, thuhej në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. /Telegrafi/