Porositë industriale në Gjermani gjatë tetorit u rritën me hapin më të shpejtë në dy vite, tregojnë të dhënat e fundit, që sinjalizojnë se sektori tregtar po rimëkëmbet dhe do të kontribuojë në rritjen e ekonomisë më të madhe të Eurozonës në tremujorin e fundit të vitit.
Sektori industrial, dikur lokomotiva e ekonomisë gjermane, tashmë ka kaluar në plan të dytë, pasi është konsumatori që udhëheq rritjen. Porositë ndaj fabrikave u rritën kështu me 4.9% gjatë muajit, deklaron Ministria e ekonomisë.
Kjo është rritja më e madhe që prej Korrikut të vitit 2014, dhe bindshëm mbi prtishmëritë e tregjeve, që flisnin për një rritje me vetëm 0.6%. Ekspertët shprehen se trendi mund të vijojë edhe përgjatë muajve në vijim, duke nxitur shpresën për një rritje ekonomike mbi pritshmëritë gjatë tremujorit të fundit të vitit.
Performanca e Tetorit nxitet kryesisht nga kërkesa e brendshme, në rritje me 6.3%, ndërkohë që kërkesa nga jashtë u rrit me vetëm 3.8%. Porositë nga vendet e Eurozonës janë në stanjacion duke mos prodhuar kështu shifra në territor pozitiv. /Telegrafi/