Virusi vdekjeprurës i njohur si coronavirusi tashmë ka filluar përhapjen e tij në mbarë botën dhe thuajse të gjitha aktivitetet janë pezulluar përfshirë këtu, koncertet, premierat e ndryshme e po ashtu edhe xhirimet e filmave të mëdhenj.
Duke qenë në një situatë të tillë, është bërë e ditur se pandemia e coronavirusit mund t’i kushtojë industrisë së filmit 20 miliardë dollarë.
Më herët, shifrat e Hollywoodit thanë se industrisë i kushtoi rreth gjashtë miliardë dollarë.
Sido që të jetë, humbjet tashmë kanë kaluar shtatë miliardë dollarë, pasi prodhimi dhe një numër i madh i premierave janë shtyrë, sipas The Hollywood Reporter.
Mes filmave të përfunduar që do të shfaqen më vonë janë “A Quiet Place II” dhe “No Time To Die”. Ky i fundit do të jetë në kinema në nëntor të vitit 2020.
Kostot e filmave vlerësohen në 30 milionë dollarë për “A Quiet Place II” dhe 50 milionë dollarë për “No Time To Die”.
Gjithashtu, ditë më parë u njoftua se është shtyrë edhe premiera e “Fast and Furious 9”, e cila tanimë pritet të shfaqet një vit më vonë, në 2021.
Ndërkaq, rreth 70,000 kinema janë mbyllur vetëm në Kinë. /Telegrafi/