Telegrafi

Industria e eSports po dënon sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës

Pas vendimit të subjekteve sportive që ndaluan pjesëmarrjen e shtetit të Rusisë në ngjarjet e tyre, një gjë të tillë po e vazhdon edhe industria e eSports.

Organizatorë të ndryshëm, kompani video-lojërash, ekipe dhe lojtarë të eSports po reagojnë ndaj sulmeve të shtetit rus ndaj Ukrainës.

Ditën e djeshme (e mërkurë) kompania e video-lojërave të futbollit EA SPORTS, përmes një njoftimi në Twitter ka lajmëruar se ka nisur proceset për të hequr kombëtaren ruse dhe të gjitha klubet ruse nga produktet e EA SPORTS FIFA, duke përfshirë FIFA 22, FIFA Mobile dhe FIFA ONLINE.

Pak ditë më parë ka reaguar edhe organizatori i CS:GO BLAST Premier përmes një postimi në Twitter duke shprehur se nuk do të ftojë asnjë ekip me bazë në Rusi në ngjarjet e tyre dhe ka anuluar të gjitha kualifikimet ku përfshihen ekipet ruse.

Organizatori i turneve të eSports ESL Gaming gjithashtu ka njoftuar për vendimin e tyre për të përjashtuar skuadrat ruse nga pjesëmarrja në ngjarjen e tyre ESL Pro League CS:GO.

Sipas njoftimit, ESL ka identifikuar organizata të tilla si Virtus.pro dhe Gambit, duke shprehur se e pranojnë që lojtarët nuk janë bashkëpunëtorë të situatës që po ndodh, duke i mirëpritur ekipet e përmendura më lartë të marrin pjesë pa e përfaqësuar vendin, organizatën ose sponsorët në veshjet e tyre.

Një gjë të tillë e kishte kërkuar edhe zëvendëskryeministri i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, në postimin e tij në Twitter kishte cekur veçanërisht Xbox dhe PlayStation, si dhe duke bërë thirrje që të bllokohen përkohësisht të gjitha ekipet dhe lojtarët rusë dhe bjellorusë në të gjitha vendet ndërkombëtare në ngjarjet e eSports dhe të anulohen të gjitha ngjarjet ndërkombëtare që zhvillohen në territorin e Rusisë dhe Bjellorusisë. /Telegrafi/