Telegrafi

Industria automobilistike gjermane investon në Kosovë

Ky projekt pritet të startoj në muajin gusht të këtij viti në Prishtinë dhe do të prodhojë sisteme elektrike për industrinë e automobilave. Investimi do të krijojë për fillim 100 vende pune.

“Në gusht të vitit 2008 “Dräxlmaier” do ta fillojë një prodhim pilot në Prishtinë, që ka të bëjë me prodhimin e sistemeve elektrike më moderne për industrinë e automobilave. Ky projekt do të testohet me ndihmën e një ekipi pilot prej 100 punëtorëve, nismë kjo që pritet të krijojë 500 vende të reja pune deri në fund të vitit 2009”, ka thënë Scheidhammer Georg, menaxheri i Kompanisë së njohur gjermane “Dräxlmaier”.

Kryeministri Thaçi nga ana tjetër tha se ka inkurajuar kompaninë ‘Dräxlmaier’ që të investojë në Kosovë.

“Pas shpalljes se pavarësisë, Kosovës po i hapen mundësi të shumta për zhvillim, punësim dhe prosperitet të gjithëmbarshëm. Qeveria e Kosovës, ka bërë progres të dukshëm në krijimin e një ambienti të favorshëm për biznes, ambient i përshtatshëm për investime, gjenerimin e vendeve të reja të punës, kooperimin rajonal si dhe rritjen e efikasitetit institucional në përgjithësi”, ka deklaruar kryeministri Thaçi. /Telegrafi/