Site icon Telegrafi

Indonezia ndryshon kryeqytetin

Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo njoftoi sot se kryeqyteti i vendit do të zhvendoset në provincën e Kalimantanit Lindor në ishullin Borneo.

Më herët, zyrtarët qeveritarë kanë vizituar dhe zhvilluar ekzaminim të plotë për qendrën e re.

“Kryeqyteti i ri ka rreziqe të kufizuara nga tërmetet, vullkanet, cunami, përmbytjet, erozionet e tokës dhe zjarret e pyjeve”, tha Widodo në pallatin e shtetit në Xhakartë.

“Kryeqyteti i ri është afër qyteteve të zhvilluara si Balikpapan dhe Samarinda”, shtoi ai.

Zhvendosja pritet të kushtojë 466 trilionë rupiah (32,79 miliardë dollarë), nga të cilat shteti do të financojë 19%, ndërsa pjesa tjetër nga partneriteti publiko-privat dhe investimet private.

Presidenti indonezian do të paraqesë projektligjin para Parlamentit, rezultatet e studimit të fizibilitetit, për të marrë miratimin për zhvendosjen e kryeqytetit.

Xhakarta është një nga qytetet më të populluara në botë, ku banojnë më shumë se 10 milionë njerëz. Qyteti është i ekspozuar ndaj përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës, të shkaktuara nga miliona banorë që përdorin ujërat nëntokësore.

Exit mobile version