India raportoi të premten më shumë se 39 mijë raste të reja me coronavirus, shifra më e lartë që nga 28 nëntori, kur u konfirmuan më shumë se 40 mijë të prekur.
Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, numri i përgjithshëm i rasteve si pasojë e COVID-19 vlerësohet të jetë rritur në 11.5 milionë, derisa numri i përgjithshëm i viktimave u rrit në 159 mijë.
India posedon shifrën më të lartë të rasteve pas SHBA-së dhe Brazilit.
Bazuar në statistikat e faqes Worldometer, vendi u përball me rënie të rasteve nga coronavirusi në fund të vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021, mirëpo numri i rasteve si duket shënoi rritje javëve të fundit.
SHBA-ja e cila qëndron e para në botë për nga numri i rasteve ka regjistruar tanimë 29.6 milionë të prekur, derisa Brazili posedon 11.7 milionë raste gjithsej. /Telegrafi/