Site icon Telegrafi

India ka afro tre milionë të prekur nga coronavirusi, vendi i tretë në botë për nga numri i infeksioneve

Numri i përgjithshëm i të prekurve nga coronavirusi në Indi u rrit në afro tre milionë, bazuar në të dhënat zyrtare të Universitetit John Hopkins.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, vendi raportoi të shtunën rreth 69 mijë raste, duke konfirmuar për të katërtën ditë radhazi mbi 60 mijë të prekur, ndërsa shifra e përgjithshme raportohet të jetë 2.9 milionë.

India është vendi i tretë në botë më i goditur nga coronavirusi, pas SHBA-së dhe Brazilit.

Raportohet se numri i përgjithshëm i viktimave u rrit në 55 mijë, njoftoi ministria federale e shëndetësisë, pasi vetëm të shtunën ajo regjistroi 945 të vdekur.

SHBA-ja e cila radhitet e para në botë, ka konfirmuar deri më tani 5.6 milionë të prekur, pasuar me Brazilin i cili posedon 3.5 milionë të infektuar.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebryesus, deklaroi se shpresonte që pandemia aktuale të përfundojë në më pak se dy vjet, sikurse Gripi Spanjoll në vitin 1918 i cili e kishte pasur të njëjtin fat. /Telegrafi/

Exit mobile version