India ka regjistruar më shumë se 90 mijë raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit, duke bërë kështu që ta kalojë Brazilin për nga numri i të infektuarve me coronavirus, shkruan BBC.
Ky vend tani renditet në pozitën e dytë për nga numri i rasteve të konfirmuara, me një total prej 4,204,613. E sa i përket viktimave ka të regjistruar 71,642, duke u renditur në vendin e tretë në botë, transmeton Telegrafi.
Sipas të dhënave zyrtare shumica e rasteve të infektuarve vijnë kryesisht nga pesë shtete indiane. E në anën tjetër, qeveria e këtij vendi ka filluar me lehtësimin e masave mbrojtëse, me shpresën për ta rimëkëmbur ekonominë e vendit që ka humbur miliona vende të punës si pasojë e pandemisë së COVID-19.
Gjatë shtatë ditëve të fundit, India ka regjistruar rritje të numrit të rasteve të reja me COVID-19, ku mesatarja brenda 24 orëve shkon në 75 mijë.
Shumica e rasteve aktive vijnë nga shtetet si Andhra Pradesh, Tamil Nadu, Karnataka, Maharashtra dhe Uttar Pradesh. /Telegrafi/