Site icon Telegrafi

INDEP, GAP dhe BGF: Punësimet partiake shkelje e ligjit dhe të drejtave të njeriut

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti GAP dhe Balkan Green Foundation i kanë bërë thirrje Prokurorisë së vendit, institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të gjithë përgjegjësve për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ligjor që të ndërmarrin masa të menjëhershme në parandalimin e punësimeve të paligjshme e diskriminuese në administratën publike.

“Më kryesorja, duhen hetuar dhe ndëshkuar individët që kanë shkelur ligjin me rastin e punësimit të militantëve dhe familjarëve të politikanëve. Si asnjëherë më parë, Telekomi i Kosovës dhe kompani e institucione të tjera po vërshohen me punësime të paligjshme dhe menaxhim të korruptuar. Praktika e punësimit të favorizuar paraqet shkelje të së paku Konventës Universale për të Drejtat e Njeriut, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të Ligjit Nr. 05/L-021 për Mbrojtje nga Diskriminimi, Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike dhe Ligjin Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Këto praktika cenojnë rrugën e integrimit evropian dhe janë goditje dërrmuese për shpresën dhe aspiratat e qytetarëve për shtet të drejtë dhe mundësi të barabarta”, thuhet në reagimin e përbashket të INDEP, GAP dhe Balkan Green Foundation.

Sipas njoftimit, punësimi pa kritere dhe me favorizime politike sipas INDEP, GAP dhe Balkan Foundation është shkelje e të drejtave të njeriut për të gjithë pjesëmarrësit në konkurse publike.

“Gjithashtu, edhe Kushtetuta e Kosovës, në nenin 24, është e qartë në parandalimin e çfarëdo forme të diskriminimit: Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.[1] Ky përcaktim kushtetues është obligativ për të gjitha nivelet dhe shkelja e tij paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të parimeve kushtetuese për mbrojtje nga diskriminimi dhe për barazi para ligjit”, theksohet tutje në reagim.

Përveç këtyre, thonë INDEP, GAP dhe BGF, të gjithë drejtorët e ndërmarrjeve publike bazuar në Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike kanë për obligim të nënshkruajnë dhe t’i nënshtrohen Kodit të Etikës. Ky Kod, parandalon çfarëdo forme të punësimit mbi bazën e nepotizmit:

“Konventat për të drejtat e njeriut, ligjet dhe Kodi i Etikës janë shkelur në mënyrë flagrante dhe për këtë, kërkojmë shkarkimin e bordit të Telekomit dhe nisjen e hetimeve të menjëhershme për çdo procedurë të prokurimit”, thuhet në fund të reagimit./kp/

Exit mobile version