Site icon Telegrafi

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit, Kurti: Kosova është ngritur për 10 vende, rankimi më i mirë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka reaguar sot pas publikimit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International ku Kosova ka shënuar përmirësim në luftën kundër korrupsionit për katër pikë, ndërsa thekson se ky është rankimi më i mirë dhe vlerësimi më i lartë ndonjëherë për vendin tonë në këtë indeks ndërkombëtar.

Kurti në një postim në Facebook shkruan se Kosova ngritet për 10 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International në krahasim me vitin e kaluar – në total për 31 vende prej se kemi marrë drejtimin e qeverisë.

“Lufta jonë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit vijon të japë rezultat e të marrë njohje e vlerësime ndërkombëtarisht. Ky është rankimi më i mirë (73/180) dhe vlerësimi më i lartë (44/100) ndonjëherë për vendin tonë në këtë indeks ndërkombëtar.

Me luftim të korrupsionit fiton shteti e qytetarët, e bashkë me të edhe imazhi i vendit tonë i cili çdo herë e më shumë po përmirësohet, e Republika përherë e më shumë po lartësohet”, shkruan kryeministri.

Ndërkaq, lidhur me këtë ka shkruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se Indeksi i fundit i Perceptimit të Korrupsionit nga Transparency International tregon një ngritje të vazhdueshme gjatë tre viteve të fundit.

Sveçla në një postim në Facebook shkruan se nga 39 pikë në vitin 2021, Kosova tani ka arritur në 44 pikë,  – rezultati më i lartë ndonjëherë!

Lexo po ashtu Kosova me 44 pikë në Indeksin e Korrupsionit, KDI: Luftimi i korrupsionit të bëhet prioritet për institucionet e reja të dala nga zgjedhjet

Ai tutje thekson se ngritja nga vendi 87 në vitin 2021 në vendin 73 në vitin 2024 është rezultat i forcimit të vazhdueshëm të sundimit të ligjit dhe rritjes së llogaridhënies institucionale, luftës së pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe vendosmërisë për transparencë dhe integritet në çdo nivel institucional.

“Ky sukses konfirmon se Kosova po ecën në drejtimin e duhur drejt një shteti më të drejtë dhe më transparent. Angazhimi ynë për të luftuar korrupsionin mbetet i palëkundur!”, tha Sveçla. /Telegrafi/

Exit mobile version