Site icon Telegrafi

Incizimi dëshmon deklaratën e Lumezit për ‘mungesën e provave’ në aferën ‘Pronto’ (Video)

Në konferencën e tij për media Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka demantuar fjalët e tij që dy ditë më herët i kishte thënë në KALLXO.com për rastin ‘Pronto’.

Ai në konferencën e sotme kur është pyetur për qëndrimin e tij ka deklaruar se nuk ka thënë që nuk është pajtuar me aktakuzën e rastit ‘Pronto’.

“Sa i përket asaj që unë kam thënë se nuk ka prova për rastin “Pronto”, nuk është e vërtetë. Ne kemi biseduar në zyrën time lidhur me aktin akuzues që është dërguar në gjykatë” ka thënë Lumezi.

Për t’u dëshmuar lexuesve që deklarata është dhënë, KALLXO.com publikon deklaratën në audio të dhënë nga Aleksandër Lumezi dy ditë më parë.

“Ka pas prokurorë që nuk e kanë nda mendimin me prokuroren Drita (Hajdari). Faktikisht edhe unë nuk jam pajtuar me rastin e Pronto-s sepse kam thënë se ka prova vetëm për disa nga të akuzuarit jo për të gjithë të akuzuarit”, ka qenë deklarata e Lumezit në bisedën telefonike të datës 20 gusht.

Exit mobile version