Telegrafi

Incidenti në Miami ka ngritur pretendimet për praninë e alienëve

Një incident në një qendër tregtare në Miami, Florida, i cili rezultoi në arrestimin e katër adoleshentëve, ka nxitur një teori të çuditshme për praninë e pretenduar të alienëve.

Sipas njoftimeve nga policia, të miturit po shkaktonin trazira dhe panik brenda qendrës tregtare, duke hedhur fishekzjarre drejt njëri-tjetrit.

Por, numri i madh i policëve që rrethuan qendrën, ngriti dyshime se në rast përfshiheshin më shumë se vetëm adoleshentë.

Madje, disa përdorues të platformës X kanë zhvilluar një teori se një alien ishte shkaku i vërtetë i shqetësimit, pasi sipas tyre pamjet tregonin “një krijesë të huaj gri që ecte mes veturave të policisë dhe ndërtesës”.

Postimet me pretendimet se autoritetet nuk po u tregonin njerëzve të vërtetën, mblodhën me miliona shikime.

Megjithatë, raporti i policisë nuk përmend praninë e ndonjë krijese të paidentifikuar që përputhet me pretendimet në rrjete sociale.

Adoleshentët e arrestuar po përballen me akuza për vjedhje, dhe rezistim ndaj policisë. /Telegrafi/