Site icon Telegrafi

Incidenti me Kuranin në Prizren, reagon Totaj: Mbështesim organet e rendit në hetimin e plotë të këtij rasti

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar pas incidentit të ndodhur në qendër të qytetit, ku një person dyshohet se ka dëmtuar librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin.

“Me shqetësim kemi marrë lajmin për këtë akt të papranueshëm, i cili nuk përfaqëson vlerat e tolerancës, respektit dhe bashkëjetesës që karakterizojnë qytetin tonë dhe shoqërinë tonë,” ka deklaruar Totaj.

Ai ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së harmonisë ndërfetare dhe ka shprehur mbështetje për organet e rendit në hetimin e këtij rasti.

Totaj ka apeluar për maturi dhe vetëpërmbajtje, duke ftuar qytetarët që të mos bien pre e provokimeve dhe të mbështeten te institucionet për adresimin e kësaj çështjeje.

Lexo po ashtu Personi që grisi Kuranin në Prizren ka të kaluar kriminale për “Vrasje” e vepra tjera penale

“Liria e shprehjes dhe besimit janë të drejta themelore, por ato duhet të ushtrohen me përgjegjësi dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. Vetëm përmes dialogut dhe respektit reciprok mund të ruajmë paqen dhe unitetin që na bën krenarë si qytetarë të Prizrenit,” ka përfunduar ai.

Ndërkaq, personi që bëri këtë veprim gjatë së hënës, tashmë është arrestuar dhe dyshohet për vepra penale të nxitjes së urrejtjes.

Por, sipas Policisë ai ka të kaluar kriminale për vrasje, dhunë në familje dhe kanosje dhe gjithashtu ka pranuar trajtim të detyrueshëm psikiatrik./Telegrafi/

Exit mobile version