Telegrafi

Incidente në Nish, anulohet shfaqja e dokumentarit “Shqiptaret janë motrat tona” (Video)

Projeksioni i filmit dokumentar “Shqiptaret janë motrat tona/Albanke su nase sestre”, që është dashur sonte të shfaqet në Qendrën mediale në Nish, është shtyrë pasi që një grup i huliganëve serbë është mbledhur para ndërtesës dhe ka protestuar.

Siç raporton Tanjugu, filmi është dashur të shfaqet në ora 19:00, e më pas të mbahet edhe një tribunë. Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur pasi që grupi i huliganëve serbë të mbledhur kanë brohoritur dhe kënduar “Kosova është Serbi” dhe këngë tjera nacionaliste.

Filmi “Shqiptaret janë motrat tona” flet për marrëdhëniet e serbëve dhe shqiptarëve dhe kohë më parë është shfaqur në festivalin e Beogradit “Mirëdita-Dobar dan”, transmeton Lajmi.net.

Ka pasur edhe fyerje në drejtim të Kosovës dhe shqiptarëve.

Kjo nuk është herë e parë që në Serbi ndodhin probleme të tilla sa herë që shfaqen filma ose dokumentarë që kanë të bëjnë me realitetin e luftës në Kosovë.

Kohë më parë në Beograd është penguar të shkojë edhe ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Shteti serb nuk kishte mundur t’i sigurojë asaj qëndrim atje, pasi që kishin shpërthyer protestat për shkak festivalit “Mirëdita – Dobar Dan”.