Site icon Telegrafi

Incident në Forumin e Prespës, era e fortë rrëzon skenografinë

Mbrëmë në Forumin e Prespës në Strugë, menjëherë pas fjalimit të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ka ndodhur një incident i cili është parë edhe përmes kamerave që kanë transmetuar drejtpërdrejt ngjarjen.

Për shkak të erës së fortë, video-skena ka rënë mbi moderatoren Valbona Zeneli, e cila ka reaguar në panik dhe të pranishmit në forum vrapuan për ta ndihmuar.

Ajo u ngrit menjëherë dhe tha se është mirë dhe nuk është lënduar.

Ndërkohë mbrëmë reaguan edhe Ministria e Punëve të Jashtme, prej ku njoftuan se ndërprerja e shkurtër në hapje të Forumit të Prespës për Dialog ndodhi për shkak të stuhisë dhe erës së fortë që dëmtoi skenografinë e panelit, gjë që rezultoi me ndërprerjen e aktiviteteve.

“Incidenti nuk ka shkaktuar asnjë pasojë dhe pas një pauze të shkurtër paneli ka vazhduar me agjendën e paraparë. Ju njoftojmë se Forumi vazhdon edhe nesër (e premte), me dinamikën e paraparë; nesër vijojnë panelet kryesore ku presim diskutime të frytshme dhe mesazhe të rëndësishme. Ministria e Punëve të Jashtme e shfrytëzon rastin t’u kërkojë falje të gjithë atyre që e ndoqën forumin, këtu në Strugë, apo përmes internetit”, thonë nga MPJ Maqedoni./Telegrafi/

Exit mobile version