Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë në inaugurimin e Qendrës së Inovacionit dhe Nërmarrësisë në Universitetin e Prishtinës se do të vazhdojë ta mbështesë çdo ide të rinisë kosovare që lidhet me inovacionin dhe ndërmarrësinë, duke dhënë mesazhin e qartë se Kosova është e vendosur të ecë përpara në rrugën e saj të modernizimit dhe zhvillimit ekonomik.
Ai tha se Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm, i cili me vendime të duhura, me politika ekonomike adekuate, mund të kthehet në zhvillim dhe mirëqenie qytetare.
“Një nga prioritetet e mia kryesore ka qenë lidhja e botës akademike me pjesën e biznesit dhe ndërmarrësisë. Kjo është ajo që sot po ndodhë. Perspektiva ekonomike e vendit tonë mund të arrihet vetëm në momentin kur bota akademike lidhet me ndërmarrësinë. Kjo është ajo që i ka munguar deri tani Kosovës. Gjatë takimeve të shumta me bizneset, një ndër ankesat kryesore të tyre kanë qenë mungesa e njerëzve të përgatitur profesionalisht, të aktivizuar në botën e ndërmarrësish”, tha Veseli.
Nga ana tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ka përgëzuar kryeparlamentarin Kadri Veseli për idenë e themelimit të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
“Ju them të drejtën kur ka filluar ndërtimi i Qeverisë që më është besuar ta udhëheqë dhe është propozua kjo Ministri, mendoja që po donë me hapë një vend pune. Du me i thënë kryetarit Veseli, faleminderit se paske pas të drejtë, se jo vetëm për sot por gradualisht e kemi konstatuar se tashmë besoj se ia ka vlejtur me hy në idenë e themelimit të një ministrie që i dedikohet inovacionit, sidomos tek të rinjtë dhe sipërmarrësit”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni ka folur për rëndësinë e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP, duke theksuar se kjo gjë është bërë në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe me Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.
“Unë besoj fuqishëm, kështu beson edhe kryeministri dhe kryetari i Kuvendit se e vetmja fuqi konkurruese në kohën e dixhitalizimit është rinia, pasi që është promotori dhe gjeneratori i zhvillimit ekonomik”, tha ministri Beqaj.
Ai tha se qendrat inovative duhet të shërbejnë për krijimin e kushteve që idetë e të rinjve inovatorë të përkthehen në bashkëpunim konkret me bizneset për t’i realizuar ato në ekonominë e re globale.
Udhëheqësit e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës e falënderuar kryeparlamentarin Kadri Veseli për mbështetjen në realizimin e këtij projekti i cili u ka krijuar kushte studentëve që të realizojnë idetë dhe njohuritë e tyre në praktikë. /Telegrafi/