Telegrafi

Inaugurimin e Bidenit e kanë shikuar më shumë sesa të Trumpit, rreth 40 milionë shikues kanë ndjekur betimin e presidentit amerikan

Rreth 40 milionë njerëz kanë ndjekur inaugurimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden përmes gjashtë rrjeteve televizive, të paktën kështu thuhet bazuar në të dhënat e Nilsen – që i bie për katër për qind më shumë numër të shikuesve sesa gjatë inaugurimit të Donald Trumpit katër vite më parë.

Bëhet fjalë për rrjetet televizive ABC, CBS dhe NBC si dhe televizionet kabllore si Fox News, CNN dhe MSNBC, transmeton Telegrafi.

Katër vite më parë, rreth 38.3 milionë njerëz, e kanë shikuar inaugurimin dhe fjalimin e republikanit Donald Trump në po këto rrjete televizive.

Betimi i demokratit Barack Obama gjatë vitit 2009 si afro-amerikani i parë që është bërë president i Shteteve të Bashkuara, e kishin ndjekur 51.2 milionë shikues.

Biden, zëvendëspresidenti i dikurshëm i Obamas, është bërë të mërkurën presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.

E Kamala Harris ka hyrë në histori si gruaja e parë afro-amerikane që ka marrë postin e zëvendëspresidentes së Shteteve të Bashkuara. /Telegrafi/