Në seancën e së enjtes të Kuvendit të Republikës së Kosovës do të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës – betimi i Hashim Thaçit president i vendit.
Kështu ka deklaruar për gazetën “Zëri” sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, duke shtuar se betimi i presidentit të ri do të mbahet në sallën kryesore të këtij institucioni.
Ndërsa një ditë më pas, më 8 prill 2016, do të organizohet ceremonia e inaugurimit të tij në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.
Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit të ri, ka bërë të ditur për “Zërin” se më 8 prill do të ketë parakalim të dy presidentëve, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi.
“Do të ketë parakalim të dy presidentëve, Jahjaga dhe Thaçi, para Gardës së Nderit, do të ketë një dorëzim-pranim ceremonial të detyrës dhe Jahjaga do t’ia dorëzojë presidentit Thaçi një kopje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. /Zëri/