Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se meritat e Qeverisë Kurti për Parkun e Erës në Mitrovicë janë zero.
Megjithatë, Haradinaj thotë se inaugurimi i këtij parku është investim i jashtëzakonshëm, transmeton Telegrafi.
“Kryetari i Qeverisë sot paska marrë pjesë në inaugurimin e Parkut të Erës në Mitrovicë, një investim i jashtëzakonshëm i Kosovës me vendet mike, që është një lajm fantastik, sado që meritat e kësaj qeverie për këtë projekt janë zero”, thotë ai.
Tutje, Haradinaj ka pohuar se sikur Qeveria të mos kishte kundërshtuar projektin e termocentralit të ri me Countur Global, atëherë do të kishte edhe projekte tjera të suksesshme.
“Sikur ky kryeministër e kjo qeveri të mos e kishin kundërshtuar projektin e termocentralit të ri me Countur Global, apo projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, sot do të mund t’u gëzoheshim edhe dy sukseseve të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, e nuk do t’i vuanim pasojat e mungesës së energjisë e çmimeve stratosferike”, ka thënë mes tjerash ai.
Kreu I AAK-së, ka shtuar tutje se “Qeveria duhet të marrë shembull nga Parku i Erës në Mitrovicë, se si nisen e kryhen punët e interesit strategjik për vendin, e pse jo t’i thoshte disa fjalë të mira edhe për Qeverinë Haradinaj, që kishte vizion të qartë se si zgjidhej situata elektro-energjetike në vend”.
“Sidoqoftë ky është sukses i Kosovës, e cila ka nevojë urgjente që t’i shtyjë edhe projektet tjera në fushën e energjisë, që sot janë ndalur nga Kryeministri Kurti”.
Ndryshe, sot është inauguruar parkun e ri i erës “Selac Windpark” në fshatrat Selac dhe Bajgorë të Mitrovicës. /Telegrafi/