Inatet dhe arsyet politike edhe më tej vazhdojnë të bllokojnë sjelljen e buxhetit në Komunën e Gostivarit. Seanca e tretë e ndërprerë, duhet të vazhdojë nesër ku pritet të diskutohet për buxhetin.
Ky vendim ka ardhur pasi kryesuesi i Këshillit pranoi mesahin e kryetarit të Komunës, se salla për seanca për ditën e sotme është e zënë.
Edhe pse në opinion ka interes të madh rreth votimit të buxhetit, akoma është e paqartë a do të ketë rritje të tij dhe kur do të votohet. Në Këshillin e Komunës nuk ka definim të qartë të shumicës, duke pasur parasysh rjedhat në seancat e kaluara, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Të mërkurën e kaluar përsëri u ndërpre seanca, pasi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, tërhoqi propozimin-buxhetin nga rendi i ditës, me qëllim që të mblidhen propozime për plotësime dhe ndryshime nga këshilltarët.
Këshilltarët e BDI-së, të cilët përbëjnë shumicë, thonë se janë të pakënaqur dhe theksuan se nga këshilltarët tjerë nuk ka parim.
Këshilltarët në Komunën e Gostivarit për muaj të tërë akuzohen ndërmjet vete për pengesa në funksionimin e komunës. Propozim-buxheti për herë të parë në rend dite u vendos për 5 mars, ndërsa nuk u votua.
Përndryshe, nëse deri më 31 mars Komuna e Gostivarit nuk voton buxhetin, sipas procedurave ligjore duhet që Këshilli të shpërbëhet dhe të nënshkruhen zgjedhje të reja për këshilltarë./Telegrafi/