Telegrafi

Imunotoksina 3B3-PE38 mund t’i shkatërrojë qelizat e infektuara me HIV

Gjetjet sugjerojnë se toksina bakteriale e modifikuar gjenetikisht, e quajtur 3B3-PE38 dhe e krijuar në vitin 1998, do të mund të përdorej si mjet komplementar në terapinë antiretrovirale (ART), vunë në dukje studiuesit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe Shkolla e Mjekësisë në Universitetin e Karolinës së Veriut.

Aktualisht, terapia antiretrovirale përdoret për të menaxhuar HIV-in tek personat me këtë sëmundje duke e përmbajtur dhe ndalur përparimin e virusit.

Megjithatë, terapia aktualisht duhet të merret gjatë gjithë jetës së personit të infektuar ose HIV-i do të rishfaqet, dhe madje edhe në qoftë se një person merr terapi, qelizat në inde të ndryshme të trupit ende mund ta shprehin HIV-in.

Për këtë studim, të botuar në revistën “PLoS Pathogens”, hulumtuesit morën minj të inxhinieruar të kenë sistemin imunitar të njeriut dhe i infektuan me HIV, transmeton Koha.net. Pastaj, minjve u janë dhënë ilaçe antiretrovirale për katër javë.

Hulumtuesit pastaj i ndanë minjtë në dy grupe: Njëri grup mori dy javë të imunotoksinës së veçantë përveç antiretroviraleve, ndërsa grupi tjetër i minjve vazhdoi të marrë vetëm antiretrovirale.

Hulumtuesit zbuluan se minjtë, të cilëve u ishte dhënë imunotoksina, përveç terapisë antiretrovirale kishin më pak qeliza të infektuara me HIV të cilat e prodhonin virusin. Përveç kësaj, ata kishin nivele më të ulëta të HIV-it në gjak, në krahasim me minjtë të cilët kishin marrë vetëm terapi antiretrovirale.

"Rezultatet tona demonstrojnë një reduktim dramatik të HIV-it të përsëritur në të gjithë trupin që vjen si rezultat i vrasjes së qelizave që prodhojnë virusin," shkruan studiuesit në studim.

"Kështu, studimi ynë ofron njohuri të reja në vendet e përsëritjes së HIV-it gjatë ART dhe një demonstrim se HIV-i i përsëritur mund të shënjestrohet me sukses brenda trupit."

Edhe pse nevojiten studime shtesë për ta dëshmuar këtë, studiuesit thanë se rezultatet ofrojnë shpresë që imunotoksina do të mund të përdorej për t’i ndihmuar njerëzit që ta arrijnë shërimin e qëndrueshëm nga HIV, pa terapi antiretrovirale. /Telegrafi/