Telegrafi

Imuniteti i tufës ‘nuk është një opsion’, paralajmëron OBSH – ndërsa rastet me coronavirus vazhdojnë të rriten

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka “shkuar një hap më tej” për të mbyllur idenë e lejimit të COVID-19 të përhapet në mënyrë që të arrihet imuniteti i tufës, duke e quajtur idenë “shkencërisht dhe etikisht problematike”.

Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, me rastet, shtrimet në spital dhe vdekjet në rritje në të gjithë Evropën dhe pjesën tjetër të botës, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, sfidoi idenë e synimit të imunitetit të tufës pa vaksinime.

“Imuniteti i tufës është një koncept i përdorur për vaksinimin, në të cilin një popullatë mund të mbrohet nga një virus i caktuar nëse arrihet një prag i vaksinimit”, citohet të ketë thënë ai gjatë një konference për shtyp.

“Me fjalë të tjera, imuniteti i tufës arrihet duke mbrojtur njerëzit nga një virus, jo duke i ekspozuar ata ndaj tij”.

“Asnjëherë në historinë e shëndetit publik, imuniteti i tufës nuk është përdorur si një strategji për t’iu përgjigjur një shpërthimi, e lëre më një pandemi”, ka shtuar ai.

Ndryshe më shumë se një milion njerëz kanë vdekur në të gjithë botën që nga koha kur zyra e OBSH-së në Kinë raportoi shpërthimin e sëmundjes në fund të dhjetorit.

Dhe tanimë shumë vende po vendosin në mënyrë të vazhdueshme kufizimet në vend, për të përmbajtur një valë të dytë të shpërndarjes së virusit. /Telegrafi/