Site icon Telegrafi

“Imuniteti” i ministrit serb!

I prishen planet ministrit serb që ka "sektor" Kosovën, Goran Bogdanoviqit. Ai është kapur në një aktivitet politik, në një fshat të Shtërpcës. Bogdanoviqi i arrestuar, të mërkurën (13 janar), është detyruar të kthehet "rikuerc", në Merdare. Ndodhi koincidenca, ai arrestohet, ndërsa këtë ditë kumtohet lajmi se pavarësinë e Kosovës e ka njohur shteti i 65 -të me radhë, Republika islamike e Mauritanisë.

Kosova s’ është kafe e rakisë, kujt t’i teket të vie, të dehet, të shkelë rendin juridik, të mbajë fjalim politik. Ka ligje, rregulla si hyhet në këtë shtet. Andaj, ata që s’ i përfillin ligjet përballen me aparatin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Zyrtarët më të lartë të vendit veprimin e këtij ministri e cilësuan të kundërligjshëm. Tërhoqën vërejtjen se ai nuk ka kërkuar leje të hyjë në Kosovë. Zv/kryeministri Hajredin Kuçi u shpreh se ai (Bogdanoviqi) është banor i Kosovës, por këtu erdhi, u paraqit si ministër i Serbisë… Ministri i PB, Zenun Pajaziti spikati:" Ai mund të bëj vizitë private kur do që të dojë…". Ndërkaq, përfaqësuesi special i BE-së, Pieter Feith këtë arrestim e vlerësoi si hap të qëlluar.

Pamjet filmike të ndalimit të Bogdanoviqit, makinës private ku gjendej ai, me targa të Kosovës – 522 – 954, i paraqitën kanalet tona televizive. Ky ministër i kthyer në pikën kufitare në Merdare dukej i shqetësuar, në dorë mbante celularin, bisedonte me ndokë. Derisa pjesëtari i Policisë së Kosovës i kërkoi dokumentin e identifikimit, dëgjohej pëshpëritja e shoqëruesve të tij: "Mos i jep pasaportën, jepi letërnjoftimin…".

Bogdanoviqi shprehu pezmin përse ka vepruar kësisoj policia ndaj tij, bëri të ditur se është banor i Kosovës. "Unë kurrë nuk do të kërkoj leje që të vizitoj vendlindjen time, Kosovën e Metohinë", tha ai. Po ashtu, ka tërhequr vëmendjen: "Unë si njeri pragmatik, konstruktiv, si njeri i paqes, kam dhënë mesazhe pozitive…".

Gazeta Politika online, e 13 janarit, lajmin për ndalimin e këtij ministri e titullon: "Bogdanovicu nije dozvoljen dolazak u Strpce" ("Bogdanoviqit nuk i është lejuar ardhja në Shtërpcë"). Kjo gazetë citon deklaratën e këtij ministri sipas asaj se në Kosovë po "kufizohet liria e qarkullimit të serbëve…". Citohet edhe zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Artan Durakut, i cili është shprehur se ky ministër para tri ditësh ka hyrë në Kosovë privatisht, për çka "si qytetar i Kosovës ka të drejtë, por që dje ka nisur bisedimet politike në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës", ka deklaruar ai.

Bogdanoviqi është arsyetuar se nuk ka nevojë të kërkojë leje për të hyrë në Kosovë, ngase ëshët banor i saj. Nëse është kështu, na qenka person me dy shtetësi, bipatrid. Ai vërtet mund të vijë në vendlindjen e tij kur të dojë, i ka dyert e hapura, mund të vij si "privat", jo në cilësinë e një ministri të një shteti të huaj, ngase për këtë duhet leja përkatëse. Por, të mbaj fjalim politik në "vendlindjen e tij", kjo rreptësisht është e ndaluar, të "kap" ligji për këtë.

Në rastin konkret, ardhja e Bogdanoviqit pa leje si ministër i Serbisë, paraqet vepër penale – kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare, e sanksionuar sipas nenit 114 të Kodit penal të Kosovës, i cili hyri në fuqi më 6 prill 2004. Sipas nenit 114 dënimi për këtë vepër është i paraparë me gjobë prej 250 euro, apo dënimi me burg prej tre muajsh. Zyrtarët tanë u treguan zemërgjerë, nuk nisën ndaj tij procedurë penale.

Po të gjendej pa leje ndonjë ministër yni në territorin e Serbisë, ai do të përfundonte brenda grilave. Zyrtarët tanët, në rastin Bogdanoviq, i "mbyllën sytë", nuk e bënë të madhe "spektaklin" e tij.

Brenda një jave në Kosovë vijnë dy zyrtarë të lartë të Serbisë, njëri si president e tjetri si ministër. Presidenti Boris Tadiq viziton Manastirin e Deçanit me lejen e institucioneve tona, ndërkaq Bogdanoviqi, në cilësinë e ministrit, nuk kërkon leje, futet në mënyrë tinëzare në Shtërpcë, aty u mban fjalim politik strukturave paralele.

Vizita tinëzare e Bogdanoviqit s’ është e rastësishme, ajo është në vazhdën e skenarëve serbe për të krijuar incidente. Nëse Serbia, nuk këndellet, e vazhdon lojën e saj, vështirë e ka të marrë "biletën" për në Bruksel.

Exit mobile version