Telegrafi

Importuesit e mishit mbahen sekret

Gazeta “Zëri” ka pritur për më shumë se një javë për ta parë listën e kompanive që importojnë mish në Kosovë, por Doganat e AUV hedhin “topin” te njëra-tjetra duke mos dhënë asnjëra emrat e kompanive. Në Doganat e Kosovës thonë se për këtë punë mbetet përgjegjëse AUV-ja, këta të fundit kanë thënë se nuk e dinë a ua lejon legjislacioni që të publikojnë emrat.

“Lista dhe sasia janë të njohura për organet shtetërore. Më duhet të konsultoj legjislacionin në fuqi rreth asaj se a kemi të drejtë apo jo që t’i japim këto informata”, ka thënë Eroll Shehu, u.d shef i Inspeksionit Kufitar në AUV.

Megjithëse nuk ka pranuar të publikojë listën e kompanive që kanë leje importi për këso mallrash, Shehu ka bërë me dije se leje të tillë kanë aktualisht rreth 40 kompani.

Shehu ka konfirmuar edhe se për sasinë e produkteve jocilësore me origjinë shtazore që janë zënë deri më tash, e që, sipas tij, është mbi 410 tonë, e veç mish mbi 370 tonë, kanë bërë edhe një sërë kërkesash për inicim të procedurës për kundërvajtje nëpër gjykata. Por, edhe këtë numër të kompanive ndaj të cilave kanë bërë kërkesë për inicim të procedurës për kundërvajtje, AUV-ja nuk e bën publike, madje as si kanë përfunduar ato.

Nga ana tjetër, Selatin Kaçaniku nga OJQ-ja “Konsumatori” mendon që mishi në këtë treg është i dyshimtë. “Një pjesë e madhe e tregut kosovar i përmbush nevojat e mishit me import. Institucionet që janë përgjegjëse për kontroll janë të mangëta si për nga aspekti cilësor, sasior e kuadrovik, prandaj edhe arrin të futet në treg mish jocilësor dhe shpesh i rrezikshëm për shëndetin”, thotë Kaçaniku.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, sasia vjetore e mishit që importohet në Kosovë është rreth 40 milionë kilogramë, duke përfshirë këtu të gjitha llojet së bashku

Shtetet prej të cilave importohet sasia më e madhe e mishit janë kryesisht SHBA-të, Brazili, Argjentina, Holanda etj. dhe më së shumti importohet mishi i shpezëve. Edhe pse mund të jenë zënë duke importuar mish të prishur, kompanive që merren më këtë punë nuk iu ndalohet menjëherë veprimtaria. /Zëri/Telegrafi/