Një kompani kosovare pretendon se i ka paguar doganës rreth 40 mijë euro më shumë për mallrat që i ka importuar.
Biznesi me tregtimin e materialeve elektro-shtëpiake, që Blerim Nishevci e ka krijuar për disa vjet, po i rrezikohet seriozisht shkaku i kostos së lartë të importit, raporton KTV.
Por, kostoja bëhet e papërballueshme për Nishevcin, kur mallrat që i ka porositur nga shtetet aziatike, mbërrijnë në ndonjërin prej terminaleve doganore në Kosovë.
Në janarin e vitit të kaluar, për një sasi malli që e kishte importuar, çmimi për zhdoganim i ishte ndryshuar për 5 herë: nga 5 mijë deri në 20 mijë euro, e krejt kjo brenda një jave.
Në ankesën e shkallës së dytë, Dogana kishte refuzuar të rishqyrtonte vendimin e saj përfundimtar, që e obligonte “Electro Arin” të paguante rreth 15 mijë euro për zhdoganim në rast se do të merrnin mallin e importuar.
KTV-ja ka kuptuar se raste të ngjashme kanë qenë subjekt hetimesh, derisa një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe pronari i kompanisë “Nishevci”, që tha të jetë intervistuar vitin e kaluar në cilësinë e palës së dëmtuar nga Departamenti i Krimeve Ekonomike i Policisë së Kosovës.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, thotë se vlera e paraqitur e mallrave nga importuesi në këtë rast, është jo-reale.