Reformat e vonshme ekonomike, burokracia, niveli i lartë i korrupsionit, mosqasja serioze e Qeverisë së Kosovës, si dhe mungesa e investimeve, janë disa nga faktorët kryesorë të importit të lartë në Kosovë tash e 17 vjet. Kështu kanë thënë njohës të çështjeve ekonomike.
Sipas të dhënëve zyrtare të Doganës së Kosovës, është tejkaluar projeksioni buxhetor për rreth 8 milionë euro më shumë. “Krahasimi në mes të viteve 2016 dhe 2017 në periudha të njëjta kohore tregon se kemi rritje prej 5.2 % më shumë apo, shprehur në milion, është mbi 35 milionë euro më shumë. Pra, gjatë vitit 2016 Dogana kishte mbledhur 678.3 milionë euro, kurse në këtë periudhë janë mbledhur 713.5 milionë euro”, është thënë në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se vend duhet të heqë dorë nga mbledhja e të hyrave në Doganë dhe duhet të fokusohet në burime të tjera. “Nuk mendoj se rritja e të hyrave nga Dogana është një indikator i suksesshëm për ekonominë e një vendi për shkak se vendet që kanë një ekonomi të modernizuar bazohen shumë më pak në të hyrat nga Dogana, e shumë më shumë në të hyrat nga aktiviteti ekonomik i brendshëm”, ka thënë Rukiqi.
Njohësi i çështjeve ekonomike dhe pronari i kompanisë vendore “Meka”, Burim Piraj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosova përballet me debalancë të lartë tregtare për shkak të reformave të vonuara ekonomike. “Nga raporti i fundit i Doganës së Kosovës po vërehet se vendi ynë, në krahasim me vendet e rajonit, ka importin shumë më të lartë se eksportin. Ka shumë vite që kemi një raport pothuajse të pandryshuar të importit në raport me eksportin. Kjo, sipas mendimit tim, ka ardhur për shkak të reformave shumë të vonuara ekonomike dhe për shkak të burokracisë dhe nivelit të lartë të korrupsionit në raport me investitorët e interesuar ndërkombëtarë të cilët ia mësynë Kosovës”, ka thënë Piraj.
Kurse, kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se rritja e importeve vjen në saje të konsumit që, sipas tij, kjo nuk është indikator kryesor i rritjes ekonomike.
“Rritja e importit vjen në saje të konsumit. Pra, konsumi është një prej kritereve të cilat ndikon në rritjen ekonomike, mirëpo nuk është kriteri kryesor. Kriteri kryesor i rritjes ekonomike është rritja e prodhimtarisë dhe rritja e eksporteve. Ndërkaq, investimet kapitale dhe investimet e huaja janë indikatorët që e përcjellin rritjen ekonomike të çdo vendi. Eksportuesit ballafaqohen me shumë probleme. Nuk kemi investime të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në rritje të eksporteve dhe rritje të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Fatkeqësisht, prodhuesit tanë nuk kanë mundësi për ta bërë promovimin e produkteve të tyre dhe kjo është një ndër parakushtet kryesore për rritjen e eksporteve”, ka thënë Hasani. /Epoka e Re/Telegrafi/