Telegrafi

Importi i energjisë, gjysma nga Serbia

Importet e energjisë elektrike qenë më të shtrenjtat të shënuara ndonjëherë. Çdo kilovat, nga 2.4 miliardë të tillë të importuara në 2008-ën, kushtoi 10.5 lekë. Shpenzimet për energji importi qenë 16 për qind më të larta sesa në vitin 2007 dhe ato u importuan përgjatë të gjithë vitit.

Një pjesë e konsiderueshme e energjisë së importuar u klasifikua si "humbje në rrjet", një term që nënkupton vjedhjet. Vjedhjet e energjisë elektrike rriten në raport të drejtë me sasinë e energjisë së futur në rrjet.

Gjatë vitit të kaluar, 2.1 miliardë nga 6.6 miliardë kilovat të furnizuara gjithsej, u vodhën ose humbën në rrjet. Humbjet u rritën me 10 për qind, pavarësisht deklarimeve të shumëfishta të autoriteteve për reduktim të vjedhjeve apo spektakleve të ofruara me prerje telash. Importet e vitit të kaluar përbëjnë 75 për qind të të ardhurave të KESH-it.

Shqipëria ka shpenzuar afërsisht 400 milionë euro gjatë dy viteve të fundit për të blerë energjinë e konsumuar. Sa për krahasim, termocentrali që po ndërtohet në Vlorë ka fuqi të instaluar 93 MW dhe po kushton rreth 100 milionë euro. Në rast se paratë e shpenzuara për import do të përdoreshin për ndërtim termocentralesh, Shqipëria do të kishte të gjithë energjinë e nevojshme.

Importet e energjisë elektrike kanë ndihmuar në thellimin e deficitit tregtar dhe deficitit të llogarisë korrente të vendit. /shqip/